Gostivar – Bukojçan është një nga katër segmentet që po ndërtohen në Korridorin 8 dhe Korridorin 10, dhe aktualisht është mundësuar punë e pandërprerë në rreth 35% të gjatësisë së përgjithshme, gjegjësisht po punohet në 11 km nga gjithsej 31 km, dhe punimet po zhvillohen nga kilometri i 4-t deri në të 13-tin.
Pikërisht në këtë pjesë të trasesë, inspektim realizuan drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, së bashku me kryeministrin e RMV-së, Kristian Mickoski, ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski, Shkëlqesia e saj . Nikol Varns, ushtruese detyre ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të Bechtel dhe Enka, si dhe politikanë të tjerë, me qëllim që të njihen nga afër me dinamikën e ndërtimit.
Në deklaratën për mediat, drejtori Trajanovski, konstatoi se ka një ritëm të shkëlqyer pune edhe gjatë periudhës dimërore, se po punohet në mënyrë aktive në 4 ura dhe 1 mbikalim, dhe se ura-binjake që kalon mbi luginë dhe mbi kanalin ekzistues të ujitjes (ujësjellësin), paraqet një ndërtim serioz inxhinierik dhe është një nga më të mëdhatë në shtet me një gjatësi prej 386 metrash.

“Ura ka gjithsej 22 shtylla, ku shtylla më e lartë është pothuajse 41 metra, ndërsa gjerësia e saj totale është 24.52 metra. Çdo korsi veçmas ka nga 11.57 metra, dhe përbëhet nga 2 korsi për qarkullim me gjerësi prej 3.50 m dhe një korsi ndalimi me gjerësi prej 2.75 m. Midis tyre ka një hapësirë sigurie – të ashtuquajturat barriera ‘New Jersey’ me gjerësi 80 cm (50 cm + 30 cm). Gjithashtu, në të dy skajet e urës janë vendosur barriera ‘New Jersey’ në gjerësi prej 51 cm. Ura është në fazën përfundimtare të ndërtimit dhe tashmë mund të qarkullohet në të dyja korsitë.
Progresi i përgjithshëm i punimeve të përfunduara në 11 km, në të cilat punimet zhvillohen pa pengesa, shprehur në përqindje arrin pothuajse 59%. Vetëm brenda një jave në këtë segment janë realizuar rreth 45,000 m³ gërmime, rreth 1,800 m³ mbushje, dhe janë të angazhuar rreth 590 punëtorë, më shumë se 500 makineri ndërtimore dhe mjete të ndryshme mekanike, si dhe rreth 55 kamionë. Në këto shifra përfshihen edhe të gjithë nënkontraktorët lokalë dhe kompanitë e ndryshme, të cilat janë rreth 15 në numër. Për nevojat e punëtorëve të Bechtel dhe Enka, është ndërtuar gjithashtu një kamp i përkohshëm akomodimi dhe pune me kapacitet për më shumë se 1,200 persona,” deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.

Punimet po zhvillohen në afërsi të vendbanimeve Debresh, Zdunj, Gostivar, Banjicë dhe Mitroj Krsti, ku dhe po kryhet gërmimi i materialeve për mbushje dhe përgatitja e elementeve të betonit për t’u vendosur në objektet përgjatë trasës. Me ritëm të pandalur po punohet edhe në dy segmentet e tjera që po ndërtohen nga Bechtel dhe Enka: Tetovë–Gostivar dhe Prilep–Manastir.