Është lëshuar në përdorim edhe një pjesë e segmentit të autostradës Kërçovë – Ohër, në gjatësi prej 17 kilometrash!

Me këto 17 kilometra të vënë në funksion udhëtimi drejt qendrës turistike Ohër bëhet më i shpejtë, më i rehatshëm dhe më e rëndësishmja mbi gjitha – më i sigurt!

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, së bashku me Kryeministrin e RMV-së, Hristijan Mickoski, ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, kryetarin e Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, si dhe një numër i shumtë deputetësh,  mysafirë dhe këshilltarë, inauguruan zyrtarisht këtë aks rrugor.

“Ky është një hap i madh përpara për qytetarët dhe ekonominë – një sukses i përbashkët i të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij projekti. Konkretisht, kanë përfunduar punimet ndërtimore në dy segmente: një pjesë e nënsegmentit 4 (Klimeshtan–Trebenishtë) dhe i gjithë nënsegmenti 5 (Trebenishtë–Ohër), në gjatësi totale prej 17 kilometrash, duke përfshirë pjesën nga Klimeshtani deri në Ohër. Autostrada është me gjerësi totale prej 26.5 metra dhe përmban të gjitha elementet konstruktive të një autostrade,” deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.

Me realizimin e këtyre nënsegmenteve në gjatësi totale prej 17 km, janë ndërtuar: një urë, 10 mure mbajtëse, pesë (5) nyje rrugore me ndriçim (Botun, Trebenishtë me lidhje me rrugën shtetërore A3, 6Aeroporti Shën Apostol Pavle, Podmolje, Shën Erazmo), katër (4)  mbikalime, 15 nënkalime, 80 kalime pllakash dhe cilindrike, dy (2) rrugë paralele me lidhje me objekte ekzistuese, dy (2)  lidhje me objekte ekzistuese dhe një (1) devijim të rrugës lokale për në  fshatin Klimeshtan.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore vazhdon të rinovojë dhe përmirësojë infrastrukturën rrugore në mbarë vendin.