Filloi realizimi i njërit prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në kuadër të Korridorit Rrugor 8, ndërtimi i aksit rrugor Bukojçan (Strugomishtë e Poshtme)-Kërçovë, me gjatësi totale prej rreth 11.5 kilometrash.
Ky është fillimi i ndërtimit të një segmenti të ri, modern dhe të sigurt të aksit rrugor, i cili do të mundësojë lidhje më të mirë të rajonit dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e infrastrukturës transportuese të Korridorit 8.

“Sot filluam me ndërtimin e rrugës që do ta lidhë rajonin me mundësi të reja. Ky nuk është vetëm ndërtimii 11.5 kilometrave autostradë. Ky është një investim në lidhshmëri më të mirë, siguri më të madhe dhe lëvizje më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave. Me fillimin e punimeve në segmentin Bukojçan-Kërçovë, Korridori 8 fiton një perspektivë të re, konkrete dhe të dukshme infrastrukturore. Sot nuk flasim vetëm për plane – sot fillojmë me ndërtim”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.
Ai shtoi se projekti është i ndarë në dy nënsegmente: Strugomishtë e Poshtme-Cërvivc, me gjatësi prej rreth 4.98 kilometra, dhe Cërvivc-Kërçovë, me gjatësi prej rreth 6.53 kilometra.

“Parashihet ndërtimi i një autostrade moderne me dy korsi qarkullimi në secilin drejtim, korsi ndalimi dhe shpejtësi projektuese prej 110 kilometrash në orë. Segmenti do të përfshijë edhe ndërtimin e 5 urave, 2 viadukteve, 4 mbikalimeve, 9 nënkalimeve dhe 6 kalimeve me pllaka, si dhe tunelin ‘Kolibari’ me gjatësi prej 370 metrash. Parashihet gjithashtu ndërtimi i nyjeve rrugore ‘Strugomishtë’ dhe ‘Kërçova Veri’. Korridori 8 nuk është vetëm një vijë në hartë, ai po bëhet realitet në terren, dhe sot po bëjmë hapin e rëndësishëm të radhës, hap drejt realizimit të tij të plotë”, tha Trajanovski në fjalimin e tij gjatë vendosjes së gurthemelit, së bashku me kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Mickoski, dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, z. Nikolloski.
Vlera totale kontraktuese e projektit arrin në 219.51 milionë euro, ndërsa afati për realizimin e punimeve ndërtimore është 48 muaj.
Projekti financohet me mjete nga hua marrja dhe grant përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Punimet do të realizohen nga konsorciumi Strabag S.R.L. (Rumani) dhe Duna Aszfalt ZRT (Hungari).
Me këtë projekt investohet në infrastrukturë që pritet të zgjasë për dekada. Autostrada e re do të sjellë kushte më të mira për udhëtim, siguri më të madhe dhe lidhshmëri më të mirë për qytetarët, por edhe një lidhje më të fortë transportuese dhe ekonomike të rajonit.
Ndërtimi i segmentit Bukojçan-Kërçovë është pjesë e një vizioni më të gjerë për infrastrukturë moderne rrugore dhe lidhje më të mirë të Maqedonisë së Veriut me rajonin dhe korridoret evropiane të transportit.