U nënshkrua Marrëveshja e grantit për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski dhe drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Fatih Turkmenogllu, sot në Qeveri nënshkruan Marrëveshjen për grant.

’’Sot po nënshkruajmë një grant ndërmjet NPRRSH-së dhe BERZH-it, që është pjesë e Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 30,8 milionë euro si dhe huamarrjes prej 167,6 milionë euro për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë. Autostrada që do të ndërtohet është në gjatësi prej 10,5 kilometra, ndërsa së bashku me 1.5 kilometrat e ndërtuara më parë, gjatësia totale e autostradës është 12 kilometra. Gjerësia e përgjithshme e autostradës është 24.5 metra. Kjo autostrada duhet t’i afrojë qytetarët e Maqedonisë dhe Kosovës. Ky investim ka një rol jetik në zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit verilindor të vendit dhe lehtëson transportin ndërkombëtar dhe tregtinë në rajon’’- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski para nënshkrimit të grantit.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), lidhur me grantin investues nga Fondi i Përbashkët i Evropës dhe Ballkanit Perëndimor për (Projekti i Autostradës të rrjetit të transportit trans-europian TEN-T në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës), në thelb paraqet një marrëveshje për grant investues me qëllim të kompletimit të strukturës financiare për realizimin e projektit të ndërtimit të autostradës Shkup (nyja rrugore Stenkovec pranë Shkupit) deri te pika kufitare Bllacë, në gjatësi prej rreth 10.5 kilometra.

Në ceremoninë solemne të nënshkrimit morën pjesë dhe mbajtën fjalim edhe Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Mickoski, zëvendëskryetari i Qeverisë, Aleksandar Nikoloski dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.

Aksi rrugor Shkup – Bllacë, do të filloj nga nyja Stenkovec dhe do të përfundoj te nyja rrugore në territorin e fshatit Bllacë. Zgjidhja e paraparë e autostradës do të ketë dy drejtime rrugore, secila me nga dy korsi trafiku me gjerësi prej 3.5 metra dhe një shirit  anësor për ndalim me gjerësi prej 2.5 metra. Gjerësia totale e projektuar e autostradës do të jetë rreth 24.5 m. Për shkak të specifikatave të terrenit që është kodrinor – malor, i cili është pjesë e masivit të Malit të Zi të Shkupit, në kuadër të trasesë së autostradës janë projektuar një numër i madh objektesh për ndërtim: 11 nënkalime, 8 ura, 4 galeri, 9 mure mbajtëse dhe 5 tunele me dy tuba (majtas dhe djathtas).

Me sigurimin e kësaj huamarrje si dhe grantit investues të pakthyeshëm dhe me ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë dukshëm koha e udhëtimit do të shkurtohet, do të përmirësohet siguria në trafik, do të ulen kostot e mirëmbajtjes së automjeteve.