Korridori 8 nën llupë: Si po ecën ndërtimi i akseve rrugore?

Sot u realizua inspektim i aktiviteteve ndërtimore në akset rrugore Gostivar–Bukojçan dhe Kërçovë–Ohër, të cilat janë pjesë e Korridorit 8, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, së bashku me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe nënkryetarin e Qeverisë, Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit përgjatë trasës konstatuan përparim të dukshëm në realizim, organizim të mirë në terren si dhe angazhim të lartë të makinerisë dhe fuqisë punëtore.

Korridori 8 ka rëndësi strategjike për shtetin dhe përfaqëson një projekt kyç për përmirësimin e lidhjes rrugore, rritjen e sigurisë në trafik dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik. Me realizimin e këtyre akseve rrugore, shteti pozicionohet më tej si një rrugë transit e rëndësishme dhe si pjesë aktive e rrjeteve evropiane të transportit.

“Lidhur me aktivitetet ndërtimore në aksin rrugor Gostivar–Bukojçan, aktualisht po punohet në 11 kilometra nga gjithsej 31 kilometra të planifikuara. Në funksion janë kampi për 1.200 persona dhe baza e betonit. Ura B0070 në kilometrin e shtatë është plotësisht e kalueshme, ndërsa po vijojnë punimet përfundimtare në rrugë. Po ashtu, po punohet në mënyrë aktive edhe në dy ura, një mbikalim dhe në mbrojtjen e shpateve në zonën e Gostivarit dhe vendbanimeve përreth. Përparimi i përgjithshëm i punimeve në këtë aks rrugor është 59,98%. Edhe në aksin rrugor Tetovë–Gostivar po punohet pa ndërprerje në rreth 14 nga gjithsej 17,5 kilometra, me punime aktive infrastrukturore dhe tokësore, dislokim të instalimeve dhe ndërtimin e rrugës paralele dhe infrastrukturës së drenazhit. Është konstatuar se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, pa ndërprerë qarkullimin në vendbanimet përreth. Dislokimet janë obligim i ‘Bechtel & Enka’ ne po punojmë intensivisht së bashku për zgjidhje sa më të shpejtë të tyre, dhe mendoj se për një kohë shumë të shkurtër do të shihet punë shumë më intensive”, tha në deklaratën për mediat drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.

Inspektimi vazhdoi në autostradën në ndërtim Kërçovë–Ohër, ku përpos ndërtimit të 6 galerive dhe 8 mureve mbështetëse, u realizua edhe pyllëzim i planifikuar i shpateve me qëllim stabilizimin e tyre afatgjatë dhe mbrojtjen nga erozioni. Në periudhën nëntor–shkurt u mbollën 200.000 fidane në katër nënsegmente. Janë mbjellë pishë, bagremë dhe panjë, ndërsa kontrollet tregojnë një përparim të shkëlqyer të fidanëve. Me këtë aktivitet sigurohet siguri më e madhe në rrugë dhe përmirësim i mjedisit jetësor.

Autostrada Kërçovë–Ohër, me gjatësi pre 57 kilometrash, ka hyrë në fazën përfundimtare. Vlera totale e projektit është 803 milionë euro, nga të cilat deri më tani janë realizuar rreth 629 milionë euro. Në terren janë angazhuar 953 punëtorë dhe mbi 400 makina ndërtimore, nën udhëheqjen e kompanisë “Sinohydro”, si dhe kompanive vendase “Granit” dhe “Ilinden”. Projekti po realizohet me një dinamikë financiare stabile dhe me fokus në infrastrukturën rrugore cilësore dhe të sigurt.

Vazhdon edhe rehabilitimi në Presekë, në segmentet Izvor–Vërbjan dhe Botun–Klimeshtan, në gjatësi prej 15,1 kilometrash. Projekti ka vlerë prej rreth 6,5 milionë euro, ndërsa realizimi aktualisht është 50%. Aktualisht po zhvillohen aktivitete për vendosjen e asfaltit të ri dhe pajisjeve moderne të sigurisë. Afati për përfundim e punimeve është në tetor të vitit 2026.
Institucionet kompetente dhe Qeveria mbeten plotësisht të përkushtuara në ndjekjen e vazhdueshme të realizimit të projekteve, respektimin e afateve dhe sigurimin e një infrastrukture rrugore moderne dhe të sigurt në interes të qytetarëve dhe zhvillimit afatgjatë të shtetit.