Skip to content

Në përgatitje është një nyje e re rrugore në Jurumleri, sanim i rrugëve R1106 dhe R1102 që lidhin vendbanimet Jurumlerin me Draçevën dhe Maxharin me Rzhaniçinën, si dhe sanim të urës mbi lumin Vardar që lidh Jurumlerin me Lisiçën e Poshtme.

Nyja rrugore e planifikuar në Jurumleri është pjesë e autostradës A4 dhe do të mundësojë lidhje direkte të vendbanimeve Jurumleri dhe Ilinden me Shkupin, Velesin dhe Gjevgjelinë. Lokacioni është mes nyjeve ekzistuese Hipodrom dhe Mralinë, ku tashmë ekziston një mbikalim që do të shfrytëzohet në infrastrukturën e re. Inspektim në terren realizuan drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, ku ekipet e tyre janë informuar për aktivitetet e planifikuara.

Pjesë e këtij trekëndëshi rrugor është edhe rruga rajonale R1102, konkretisht segmenti Maxhari–Rzhaniçinë, i cili është rreth 14 km i gjatë. Edhe për këtë segment është planifikuar zgjerimi i rrugës, përmirësim i elementeve gjeometrike dhe ndërtimi i rrethrrotullimeve në kryqëzimet në Jurumleri dhe Idrizovë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së trafikut. Aktualisht është në përgatitje dokumentacioni i tenderit për zgjedhjen e projektuesit, dhe dokumentacioni projektues pritet të përfundojë deri në fillim të vitit 2027.

Për nyjen rrugore Jurumleri do të përgatitet dokumentacion projektues, ndërsa ndërtimi do të mundësojë qasje më të mirë, ulje të ngarkesës së trafikut dhe rritje të sigurisë. Aktualisht është në proces prokurimi publik për zgjedhjen e projektuesit, dhe dokumentacioni pritet të përfundojë gjatë vitit 2026.

NPRRSH planifikon edhe rehabilitim me zgjerim të një pjese të rrugës rajonale R1106, segmenti Jurumleri–Draçevë, që është rreth 4 km e gjatë dhe që është pjesë e rrugës rajonale R1106. Përpos rehabilitimit me zgjerim të rrugës, do të vendoset sinjalizim i ri, si dhe ndërtim i shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta aty ku kushtet e terrenit e lejojnë.

Lidhur me këtë projekt, në procedurë është përgatitja e dokumentacionit të tenderit për përzgjedhjen e projektuesit për përgatitjen e Projektit Bazë dhe Urbanistik. Dokumentacioni projektues pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026.

Një hallkë e rëndësishme e këtij segmenti të rrugës rajonale është ura mbi lumin Vardar që lidh Jurumlerin me Lisiçen e Poshtme. Ura është e gjatë 93.8 metra, me korsi në gjerësi prej 5 metra dhe gjerësi totale prej 7 metrash. Nuk ekziston dokumentacion zyrtar për ndërtimin e saj, por të dhënat e para për sanimin e të njëjtës  datojnë që nga viti 1987, që tregon se bëhet fjalë për një objekt mjaft të vjetër. Janë kryer matje gjeodezike, ku janë evidentuar dëmtime, por pa rrezik për qëndrueshmërinë e konstruksionit. Është në përgatitje projekti për sanimin dhe forcim e të njëjtës.

Të gjitha projektet e përmendura dhe të planifikuara NPRRSH i ndërmer për qëllim të rritjes së sigurisë të pjesëmarrësve në trafik. Këto segmente janë me frekuencë të lartë dhe përveç trafikut të udhëtarëve, zhvillohet edhe trafik mallrash, prandaj përveç sigurisë, me realizimin e projekteve të përmendura do të mundësohet edhe lehtësimi i ngarkesës në R1102 që çon drejt Jurumlerit dhe Hipodromit. Gjithashtu, qytetarët nga vendbanimet përreth do të mund të kyçen dhe të çkyçen më lehtë në autostradë/qarkore, gjë që do të ulë ngarkesën dhe do të përmirësojë qasjen në rrugët kryesore.

Pjesë: