Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje sa më ekonomike, efikase dhe të sigurt për përfundimin e nyjes rrugore në Bërvenicë, në terren dolën drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, dhe kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, së bashku me ekipet e tyre profesionale nga NPRRSH dhe komuna e Bërvenicës.
Nyja rrugore e Bërvenicës është pjesë e rrjetit rrugor të rrugës shtetërore A2, në segmentin Shkup – Tetovë – Gostivar. Në anën veriore të aksit rrugor është ndërtuar një pjesë e nyjes rrugore që mundëson dalje nga Shkupi në drejtim të Bërvenicës dhe hyrjen nga Bërvenica në drejtim të Gostivarit.
Për të përfunduar nyjen rrugore në Bërvenicë, është planifikuar zgjidhje projektuese në anën jugore, e cila do të mundësojë daljen nga Gostivari në drejtim të Bërvenicës dhe hyrje nga Bërvenica në drejtim të Shkupit.
Në këtë mënyrë do të zgjidhet një problem shumëvjeçar në rajon për lidhjen e Bërvenicës dhe vendbanimeve përreth me autostradën ekzistuese A2 drejt Shkupit. Gjithashtu, lidhja e re do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut në rajon dhe vendbanimet përreth, duke ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, si dhe në rritjen e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së trafikut.