Në rrugën shtetërore A2 në rrethrrotullimin në Kriva Pallankë është duke u zhvilluar rehabilitimi i segmentit në gjatësi prej 4.5 kilometrash. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe sigurisë në komunikacion në rajon.
Për këtë arsye, u bë inspektimi i punimeve ndërtimore nga ana e drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, së bashku me ekipin profesional, në prani të kontraktorit dhe mbikëqyrësit, si dhe deputetit Emil Spasovski.
Aktualisht, punimet po zhvillohen pa ndërprerje ndërsa rehabilitimi përfshin heqjen e plotë të asfaltit ekzistues dhe vendosjen e asfaltit të ri me dy shtresa – shtresa mbajtëse e bitumizuar me trashësi prej 8 cm dhe shtresa e sipërme me trashësi prej 6 cm. Segmenti është i gjerë 7.5 metra, me dy korsi nga 3.5 metra dhe bankina prej 1.3 metra.
Në trasenë ndodhen 5 kalime uji, 2 ura dhe 1 nënkalim, të gjitha janë objekt rikonstruimi dhe forcimi. Përveç kësaj, do të vendoset sinjalizim vertikal dhe horizontal modern, si dhe gardh mbrojtës çeliku sipas standardit evropian EN1317.
Kontraktori i punimeve është kompania “Granit”, ndërsa mbikëqyrjen e kryejnë “Euro Consulting” në bashkëpunim me “Divi Macedonia”. Vlera e kontratës është 68.511.708,84 denarë (pa TVSH), që është rreth 1.12 milion euro.
Gjatë realizimit të punimeve ndërtimore është vendosur regjim i përkohshëm i komunikacionit dhe bëjmë thirrje për ndjekje të kujdesshme të sinjalizimit të vendosur.
Me realizimin e këtij projekti pritet përmirësim i ndjeshëm i sigurisë në komunikacion, si dhe lidhje më të mirë me rrugën e re eksprese Kriva Pallankë – Stracin në perëndim dhe rrugën e rikonstruar deri te pika kufitare Deve Bair në lindje.