Skip to content

Trajanovski: ’’Maqedonia aktualisht ndodhet në një cikël investimesh në të cilin gjërat kanë filluar të lëvizin dhe nga faza e ngecjes kanë kaluar në fazën e ndërtimit të rrugëve’’

Në Maqedoni, sektori i infrastrukturës është një nga shtytësit kryesorë për rritjen e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendore. Në këtë drejtim, infrastruktura shihet si një sektor prioritar, ndërsa Qeveria po punon në mënyrë aktive në krijimin e një ambienti të favorshëm afarist.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, mori pjesë në forumin e biznesit ’’Mundësi afariste dhe investime’’ me fokus të veçantë në sektorët e infrastrukturës, tranzicionit energjetik dhe ekonomisë rrethore dhe inovacionit teknologjik dhe industrisë 5.0, nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Italisë në Shkup dhe Agjencisë Tregtare Italiane (ITA).

Në fjalimin e tij, ai theksoi se ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore në Maqedoni është në një vrull të madh dhe se pavarësisht përfundimit të projekteve të filluara në pjesën e rrugëve ekspres, po punohet me një ritëm të përshpejtuar edhe në të gjitha projektet e tjera të parashkikuara në Programin Vjetor për vitin 2025.

’’Kjo është tejet e rëndësishme, sepse vlerësojmë që përparësia jonë strategjike është vetë fakti që jemi një kryqëzim natyror i dy korridoreve tejet të rëndësishëm – Korridorit 8 dhe Korridorit 10D. Prandaj, na nevojiten rrugë moderne, hekurudha të shpejta, shërbime publike të përmirësuara dhe lidhje digjitale. Kjo është tejet e rëndësishme sepse kam ndjenjën që në të kaluarën shumë pak i është kushtuar vëmendje ndërtimit të infrastrukturës dhe mirëmbajtjes së saj, gjë që na vë në radhën e vendeve me lidhje rrugore jo të mirë me rajonet përreth nesh. Maqedonia aktualisht mund të thuhet se ndodhet në një cikël investimesh në të cilin gjërat kanë filluar të lëvizin në drejtim të favorshëm, përkatësisht në një cikël ku nga faza e ngecjes kemi kaluar në fazën e ndërtimit të rrugëve. Hapim fronte pune për të gjithë kontraktorët tanë të projekteve dhe presim ofensivë nga ana e tyre, përkatësisht të ndjekin ritmin tonë. Qytetarët tanë meritojnë të udhëtojnë në rrugë moderne, të sigurta dhe të reja.’’ – tha në fjalimin e tij drejtori i NPRRSH-së, Koce Trajanovski.

Pjesë: