Trajanovski: ’’Me lëshimin e rrugës eksprese Gradsko – Drenovë në gjatësi prej 26 km reduktohet koha e udhëtimit drejt Prilepit, Manastirit, Resnjës!’’

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski në prani të kryeministrit të Qeverisë së RMV-së Hristijan Mickovski, ministrit të Transportit Aleksandar Nikollovski, kryetarëve të Komunave, deputetëve, bashkëpunëtorëve dhe mysafirëve të shumtë, e lëshuan në përdorim segmentin Farish – Drenovë, pjesë e rrugës eksprese A1 Gradsko – Drenovë, me çka fitohet një tërësi e rrugës ekspres prej 26 kilometrash në Korridorin 10d.

’’Sot ndjej një gëzim dhe një kënaqësi të madhe që qëndroj këtu, në këtë vend, dhe e lëshojmë në funksion segmentin Farish – Drenovë të rrugës eksprese A1, pjesë e Korridorit 10D. Arritëm që t’i tejkalojmë problemet e trashëguara dhe për një periudhë të shkurtër kohore të fitojmë një tërësi funksionale prej 26 kilometrash, me ç’rast ndjeshëm e reduktojmë kohën e udhëtimit nga Gradsko në drejtim të Prilepit, Manastirit, Resnjës dhe më tej. Në segmentin Farish – Drenovë kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i mposhtë pengesat e punimeve ndërtimore, veçanërisht në stabilizimin e shkëmbinjve të rrezikshëm dhe ta përshpejtojmë realizimin e punimeve. Në vetëm 10,2 kilometra kemi 1 tunel me dy tuba, 21 ura, 11 mure mbajtëse, 1 viadukt, 7 konstrukcione të betonit të armuar, disa nënkalime, kalime tubash dhe 1 rrethrrotullim në rrugën egzistuese me nyjen Drenovë. Është realizuar ndërtimi i kanaleve anësore, rregullim i lumit në disa pjesë, mbrojtje e shpateve, është vendosur rrethojë mbrojtëse, sinjalizim horizontal dhe vetrikal si dhe pajisje të tjera rrugore.’’ – deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski.

Projekti ka vlerë totale prej 44,74 milionë euro dhe është i financuar me huamarrje nga BERZH – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Projektues i segmentit ishte ‘‘Prostor’’ SHPK Kumanovë, kontraktor i punimeve ‘‘SINOHYDRO CORPORATION LIMITED’’ Peking, RP Kinë, dega Shkup, ndërsa mbikëqyrja u realizua nga GEING dhe EURO CONSULTING.