Skip to content

Rustemi: “Punët ndërtimore në urën mbi lumin Kumanovka janë në fazë përfundimtare”

“Ura mbi lumin Kumanovka në rrugën rajonale R1204 është e rëndësishme për shkak se ka qarkullim të madh të automjeteve, në veçanti automjeteve të rënda transportuese që gravitojnë deri tek objektet industriale në këtë rrethinë. Ngarkesa me trafik ka qenë shkaku për dëmtimin e saj të dukshëm dhe për këtë qëllim Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore duke u kujdesur për pjesëmarrësit në komunikacion të këtij segmenti, filloi me  sanimin i cili tashmë është në fazën përfundimtare”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, i cili së bashku me kryetarin e Qeverisë së RMV-së, Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, kryen inspektim në punët ndërtimore.

Ura është me trarë kryesorë të çeliktë me nga 5 fusha ndërmjet në gjatësi prej 172.5 m dhe me gjërësi të shtresës mbajtëse të korsisë prej rreth 6.5m dhe me trotuare në të dyja anët me nga 1m. Sanimi i përfshiu këto trarë të çeliktë si dhe përforcimin e të gjitha pikave të shtyllave, ndërrimin  e kushinetave të vjetra dhe të dëmtuara, sanimin dhe përforcimin e shtresës mbrojtëse të korsisë, trotuare të reja, rrethojë të re të urës, hidroizolim të ri si dhe konstrukcion të asfaltit. Kontraktor i punëve ndërtimore është SINTEK  ENGINERING – SHKUP, mbikëqyrës është GEING – Shkup, ndërsa mjetet e parapara për sanimin e urës janë në vlerë prej 59.7 milion denarë ( rreth një milion euro).

Rustemi gjithashtu theksoi se: “NPRRSH në rajonin e Kumanovës kreu sanim dhe përforcim të të ashtuquajturës Ura e Iskrinit, për të cilën kemi ndarë mjete nga buxheti në vlerë prej 2 milion euro. Gjegjësisht, Ura e Iskrinit është një nga urat më të gjata në vend, me gjatësi prej 355 metra dhe prej se është ndërtuar pothujse 50 vite nuk ka qenë e sanuar dhe ka qenë në një gjendje jashtëzakonisht të keqe. Tashmë siguria e qytetarëve të rajonit është rritur dhe ata do të lëvëzin në dy ura të sanuara dhe të përforcuara”.
Punët ndërtimore mbi urën Kumanovka në Proevcë janë në fazë përfundimtare dhe aktualish po kryhen punimet në fushën e fundit  si dhe në shtyllën fundore në pjesën e Kumanovës.

Pjesë: