Skip to content

Rustemi: “Siguruam gati 8 milion euro për rehabilitimin e rrugës magjistrale Podmolje – Strugë – Qafë Thanë”

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi së bashku me zëvendës kryeministrin e parë dhe Ministrin për Sistem Politik dhe Marëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubin, ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqirin, zëvendës ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepin dhe kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, kryen inspektim në punët ndërtimore të rehabilitimit të rrugës magjistrale A3 Podmolje – Strugë – Qafë Thanë në gjatësi prej 20.5 kilometrash, për të cilën përmes BERZH-it kemi siguruar mjete në vlerë prej 7.998.144.00 euro.
Rruga rajonale që të çon drejt vendkalimit kufitar Qafë Thanë dhe që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut me Republikën e Shqipërisë është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe prej kohësh është në një gjendje që kërkon rindërtimin e saj.

“Ky drejtim rrugor ka një frekuencë të lartë qarkullimi  dhe është i rëndësishëm jo vetëm për banorët e këtij regjioni por edhe për të gjithë ne sepse të çon në Tiranë, e më tej edhe në Durrës, çka hap mundësinë për një qarkullim më të lehtë mallrash dhe shërbimesh. Kontraktori Ilinden-Struga është vënë në punë në mesin e korrikut dhe presim që aktiviteti ndërtimor të përfundojë për rreth 15 muaj dhe deri në fund të vitit të ardhshëm të lëvizim këtu në një rrugë të re të rehabilituar dhe asfalt të ri. Mbikëqyrja kryhet nga GEING dhe besoj se së bashku do të respektojm afatin e përcaktuar që në të ardhmen të mund të vozitet në një rrugë të re dhe të sigurt. Rikonstruimi fillon nga mbikalimi pranë Podmoljes dhe përfundon në vendkalimin kufitar Qafë Thanë. Në të gjithë gjatësinë do të rehabilitohet konstrukcioni i rrugës, tre ura ekzistuese, kanalet nënrrugore, muret mbajtëse, si dhe rikonstruksion i plotë i sinjalizimit horizontal dhe vertikal”, deklaroi gjatë inspektimit drejrtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rrustemi.
Përndryshe, rruga shtetërore A2 është rrugë magjistrale, e destinuar për qarkullim motorik dhe me gjerësi të ndryshueshme nga 7.7 metra deri në 11.2 metra sepse në një pjesë të rrugës është zgjeruar në vitin 2000 me korsi të tretë.

Ndërtimi është i ndarë në tre pjesë dhe aktualisht po punohet në dy seksione, ku po kryhen punimet ndërtimore dhe makineritë po punojnë me kapacitet të plotë për të përfituar nga moti i favorshëm.
Rustemi kërkoi nga banorët e këtyre zonave përreth si dhe të gjithë atyre që gravitojnë drejt këtij drejtimi të bëjnë durim gjatë kryerjes së punimeve të ndërtimit dhe të përshtatin lëvizjen e tyre sipas kushteve të rrugës.

Pjesë: