Skip to content

U nënshkrua marrëveshja me BB për autostradën Rankovcë- Kriva Pallankë

Sot në Ministrinë e Financave u nënshkrua marrëveshje me Bankën Botërore, për një kredi prej 83 milionë euro, për realizimin e autostradës Rankovcë- Kriva Pallankë.

Marrëveshjet e kredisë dhe garancisë i nënshkroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Zoran Stavreski, drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni Bojana Naceva dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore Aleksander Stojanov. Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjeve morën pjesë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Vlladimir Peshevski dhe ministri i Transportit dhe lidhjeve Vllado Misajlovski.

Foto: MIA

– Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bëhet realitet autostrada Rankovcë- Kriva Pallankë. Një rrugë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë verilindore, por edhe për të gjithë qytetarët që udhëtojnë në Bullgari, sepse do të ndërtohet një rrugë e re moderne me dy korsi në të dyja drejtimet, që do të mundësojë udhëtim të shpejtë dhe lëvizje më të sigurt, tha pas nënshkrimin zëvendëskryeministri Stavreski.

Sipas zëvendëskryeministrit Stavreski, realizimi i këtij projekti është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm me Bankën Botërore.

Projekti, siç tha drejtoresha e Zyrës Bojana Naceva, është paraparë në Strategjinë e Bankës Botërore për infrastrukturë rrugore në Republikën e Maqedonisë, për shkak të rëndësisë së rrjetit rrugor për rritjen dhe konkurrencën e vendit.

– Duke investuar në infrastrukturën rrugore Maqedonia do të sigurojë lidhje më të mira me tregjet rajonale dhe do të bëhet një destinacion më tërheqës për investitorët.
Sipas zëvendëskryeministrit Vlladimir Peshevski, marrëveshja është një vazhdim i zgjerimit të infrastrukturës në Republikën e Maqedonisë.

– Përveç banorëve të këtij rajoni, të cilët e kërkonin këtë kohë të gjatë, por edhe të gjithë banorët e RM-së, veçanërisht ato që merren me ekonomi dhe që i kishin lënë pas dore marrëdhëniet me Lindjen, me këtë rrugë realizohen kushtet për rritjen e tregtisë dhe transportit më të lehtë të njerëzve, mallrave dhe më në fund parakushte për zhvillimin e turizmit, tha Peshevski.

Siç theksoi Ministri i Transportit dhe lidhjeve Vllado Misajlovski me këtë projekt Qeveria tregon se e ruan vazhdimësinë në ndërtimin e infrastrukturës cilësore.
– Këtë e tregon fakti se për momentin ndërtohen tre autostrada të reja me një gjatësi të përgjithshme prej 156 kilometra dhe një investim prej mbi 800 milionë euro. Vetëm në një muaj kemi filluar ndërtimi i 5 rrugëve rajonale me një gjatësi prej 155 kilometrave dhe një investim total prej 10 milion eurove, deklaroi Misajlovski, duke shtuar se këtë muaj ose më së voni muajin tjetër do të fillojë rehabilitimi i gjashtë rrugëve rajonale.

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore Aleksander Stojanov do të ndërtohet një rrugë e re moderne prej 26 kilometrave me një gjerësi të ndryshueshme nga 11.4 deri në 12.5 metra.  – Aksi, siç tha ai, është ndarë në dy pjesë nga Kriva Pallanaka-Glloboçicë dhe Glloboçicë- Stracin. Ai do të përfshijë 22 ura, nëntë mbikalime dhe 13 kalime dhe 2 qarkore.

Ndërtimi i aksit duhet të fillojë në pranverë dhe të përfundojë për tre vjet, apo deri në fund të vitit 2019.

Pjesë: