“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë ekonomike dhe politike të Korridorit 8 dhe lidhjes rrugore me Republikën e Bullgarisë, por edhe me rajonin më gjër. Prandaj po investojmë në modernizimin dhe kompletimin e Korridorit Pan-Evropian dhe rrugëve që përfshihen në të, siç është dhe rruga magjistrale Kumanovë-Stracin e cila është jetike jo vetëm për rajonin, por për mbarë vendin. Përmirësimi i lidhjeve rrugore nënkupton lidhje më të mirë për transport më të shpejtë të shërbimeve dhe mallrave” deklaroi Drejtori i Ndërmarjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi, i cili së bashku me Zëvendëskryetarin e Qeverisë për luftën kundër krim dhe korupsionit Ljupço Nikollovski , me Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski dhe zëvendësdrejtor i NPRRSH Bllagojçe Trpeski , inspektuan punimet ndërtimore të cilat janë në fazën përfundimtare të rehabilitimit të magjistrales Kumanovë- Stracin e ndarë në dy pjesë.
“Faza e parë është nga Kumanova deri në fshatin Vojnik, në një gjatësi prej 15.2 km me vlerë prej 5.4 milionë euro të siguruara nga fondet IPA 2. Rehabilitimi i kësaj faze përfundon në qershor të vitit të ardhshëm. Faza e dytë është nga fshati Vojnik në Stracin, me gjatësi prej 16.6 km me vlerë prej 7.2 milionë euro, para të siguruara përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Kjo pjesë tashmë është në fazën finale dhe presim që së shpejti të përfundojë rehabilitimi”, potencoi Rustemi.
Vitin e kaluar është rehabilituar dhe rikonstruktuar rruga nga Rankovca deri në Kriva Pallankë në gjatësi prej 21 km dhe me riparimet dhe ndërtimet tjera të filluara në këtë rajon, dëshirojmë të kemi një Korridor 8 të plotë i cili do të jetë i sigurt për pjesëmarrësit në trafik.