“Nuk mjafton që vazhdimisht të flasim vetëm për rëndësinë e Korridorit 8 dhe për lidhjen e shtetit me rajonin, por është e nevojshme që fjalët t’i shndërrojmë në vepra. Sot folën veprat dhe krahas aktiviteteve ndërtimore në segmentet Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir të cilat po përparojnë, fillojmë me aktivitete ndërtimore edhe në Tetovë-Gostivar.”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, në shënimin e fillimit të punimeve ndërtimore nga konsorciumi Bechtel dhe Enka në segmentin Tetovë-Gostivar.
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, zëvendëskryetarët e Qeverisë Nikoloski, Mexhiti dhe Dimovski, në prani të ambasadores së SHBA-së Ageler, deputetë, kryetarë komunash, si dhe përfaqësues të Bechtel dhe Enka ishin pjesë e shënimit të fillimit të ndërtimit të aksit rrugor Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 17,5 km, pjesë e projektit për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10d të cilat po ndërtohen nga konsorciumi Bechtel dhe Enka.
Tashmë po ndihen edhe përfitimet ekonomike nga aktivitetet ndërtimore të konsorciumit, sepse ndërtimi i 110 kilometrave autostrada mundësoi përfshirje më të madhe të kompanive ndërtimore vendase në realizimin e Korridoreve 8 dhe 10d, kështu që rreth 60% e kontraktorëve të projektit janë kompani lokale, si dhe më shumë se 90% e nënkontraktorëve. Kjo nënkupton lëvizje të ekonomisë dhe përmirësim të investimeve.
Deri më tani, në tre segmentet është përfunduar shpronësimi i gjithsej 2497 parcelave, ndërsa aktivitetet ndërtimore në segmentet Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir јanë në realizim e sipër.
Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore në Programin Vjetor për vitin 2025 ka planifikuar gjithsej 150 milionë euro për konsorciumin “Bechtel dhe Enka”. Nga këto mjete, 130 milionë euro tashmë janë parashikuar në buxhetin shtetëror për këtë vit për operatorin amerikano-turk, ndërsa mjete shtesë ka rreth 20 milionë euro të pashpenzuara nga vitet e mëparshme.